“Zgjedhorja”: Depolitizim administratës

Posta

“Zgjedhorja”: Depolitizim administratës

15:55 06/11/2019

Ndryshon struktura nga KQZ deri të numëruesit

Ekspertët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore kanë gati amendimet e Kodit, që çojnë në depolitizimin e administratës zgjedhore. Ndryshimet konfigurojnë gjithë strukturën zgjedhore, duke nisur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në draftin e ekspertëve, ky Komision nuk do të ketë më 7 anëtarë si tani, por do të përbëhet nga 3 hallka që do të kenë përgjegjësi dhe kompetenca të ndara.

I pari është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili drejton KQZ dhe përfaqëson në marrëdhënie me të tretët do të zgjidhet nga parlamenti për një mandat 7-vjeçar i cili mund të përsëritet.

I dyti është Komisioni Rregullator, një organ që miraton aktet normative dhe vendos rregullat për zgjedhjet dhe që do të jetë i përbërë nga 5 anëtarë që zgjidhen nga parlamenti për një mandat 5-vjeçar.

Organi i tretë është Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve që shqyrton ankimimet e subjekteve zgjedhore dhe vendos sanksione për shkelje të Kodit dhe do të jetë i përbërë nga 3 anëtarë me mandat 9 vjeçar.

Të gjithë anëtarët e strukturës së re të KQZ-së votohen në parlament me 3/5 e votave dhe në rast se nuk arrihet ky kuorum atëherë zgjidhen me short nga administrata e Kuvendit mes kandidaturave të paraqitura.

Amendimet prekin dhe administratën zgjedhore, e cila propozohet të përbëhet nga nëpunës civil që do të quhen zyrtare zgjedhore dhe që do t’i nënshtrohen trajnimeve nga KQZ dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për të fituar këtë titull.

Zyrtar zgjedhor mund të jenë dhe shtetas të tjerë, të cilët nuk janë me statusin e nëpunësit civil, por që pranohen në programet e mësipërme të trajnimit nëse plotësojnë kriteret.

KZAZ-të do të quhen Njësi të Administrimit Zgjedhor. Anëtarët e saj zgjidhen me short nga zyrtarët zgjedhore.

Në ditën e votimit kjo strukturë vepron e ndarë në dy grupe, me 2 anëtarë dhe një sekretar, të cilët qëndrojnë në detyrë me turne 8 orë, deri në përfundim të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit në nivel Njësive të Administrimit Zgjedhor.

Ndërsa Njësia e Administrimit të Votimit, ish-Komisionet e Qendrave të Votimit do të jetë struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave të votimit.

Njësia e fundit është ajo e Administrimit të Numërimit (ish-Grupet e Numërimit të Votave), shkurtimisht NJAN-i, një strukturë e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave për numërimin e votave.

Ajo ka kompetencë ekskluzive të bëjë vlerësimin e votave, numërimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave të votimit.

Vetëm ankimimi mund të ndryshojë rezultatin e nxjerrë nga kjo strukturë. Propozimet e ekspertëve do të diskutohen në mbledhjen e të enjtes në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT