UEFA po mendon që të anulojë projektin për ta bërë Euro 2028 me 32 ekipe pjesëmarrëse

UEFA po mendon që ta anulojë projektin për zgjerimin e Kampionatit Europian me 32 kombëtare për eventin e vitit 2028, që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria europiane e futbollit kishte në plan që ta shtonte edhe më shumë numrin e e pjesëmarrësve në kompeticion, pasi e çoi nga 16 në 24 në 2016.

Por një grup pune i UEFA-s, i cili ka detyrën për t’u marrë me projektin e ndryshimit, ka raportuar probleme serioze rreth impaktit që do të ketë nga ana financiare transmetimi i turneut kualifikues, raporton “Daily Mail”.

Kompanitë mediatike europiane i kanë thënë UEFA-s se një kompeticion kualifikues ku nga 55 ekipe, 32 do të siguronin pjesëmarrjen, do të kishte një vlerë komerciale të ulët për shkak të parashikueshmërisë të shumë grupeve dhe numrit të sfidave, rezultati i të cilave nuk do të kishte rëndësi.

UEFA po merr në konsideratë opsione të tjera, duke hequr dorë nga grupet kualifikuese drejt një serie ndeshjesh me eliminim direkt, e synon që boshllëkun ta mbushë me më shumë ndeshje  të Ligës së Kombeve.

Por propzimi nuk ka vota në favor, e gjithashtu ka kundër partnerët komercialë dhe të transmetimit. Një vendim final do të merret në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Nëntor.

Klan News