Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë marrëveshje për çështjen e detit.

Duke folur në Parlament në këtë sesion të ri, Rama u shpreh se në hapësirën ndarëse detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, nuk ka mundësi fizike për zgjerimin me 12 milje të shtetit fqinj.

Për këtë arsye, do të zhvillohen negociata me Greqinë, të cilat janë të ndërprera që pas ndërrimit të qeverive në Athinë.

Në çdo rast, Kryeministri Rama u zotua që për sa kohë do të qëndrojë në detyrë, nuk do të cënojë interesat kombëtare.

“Nuk ka lidhje fare me Shqipërinë. Nuk ka asnjë lidhje. Dhe që ta dini ju, që e doni kaq shumë Shqipërinë por i ngatërroni dhe hartën. Nuk ka mundësi fizike aty ku gjendet hapësira ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë për të ushtruar të drejtën e 12 miljeve. E drejta e 12 miljeve është një e drejtë që buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit. Aty ku mundësia nuk ekziston, thotë konventa, shtetet negociojnë. Çfarë po negociojmë ne me Greqinë nëse do të ishte kaq e thjeshtë? Ne me Greqinë kemi nisur negociata që kanë ndaluar. Dhe nuk jemi në negociata qysh prej ndërrimit të qeverive në Greqi. Nuk ka negociata në zhvillim me Greqinë. Negociatat mes dy palëve nuk kanë përfunduar në atë kohë. Sa të jem unë në këtë detyrë do bëjmë më të mirën. Po cënim interesash kombëtare, kurrë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al