Finlanda dhe Suedia, dy vende neutrale nordike, janë aq të alarmuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sa që të dyja tani po mendojnë seriozisht t’i bashkohen NATO-s, që në fillim të kësaj vere.

Rusia i ka paralajmëruar që të mos e bëjnë. Në të kundërt ajo i ka kërcënuar se do përballen me “një përgjigje teknike ushtarake”. Pra, nëse e vëmë në peshore, a është Europa një vend më i sigurt apo më e rrezikshme nëse njëra ose të dyja këto vende bëhen pjesë e NATO-s?

NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, është një aleancë mbrojtëse prej 30 vendesh e themeluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka selinë e saj në Bruksel, por dominohet nga fuqia masive ushtarake dhe raketore bërthamore e SHBA.

Finlanda dhe Suedia janë të dyja vende moderne, demokratike që përmbushin kriteret për anëtarësim në NATO. Shefi i organizatës, Jens Stoltenberg, ka thënë se do t’i mirëpresë me krahë hapur dhe do të ketë vonesa minimale në përpunimin e anëtarësimit të tyre.

Gjenerali i Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Ben Hodges, i cili komandonte të gjitha forcat tokësore amerikane në Europë, nuk ka dyshime për përfitimet e kësaj për Perëndimin:

“Bashkimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është diçka shumë e madhe, një zhvillim shumë pozitiv. Ato janë dy demokraci shumë të forta dhe ushtria e të dyjave është shumë e mirë, e aftë dhe e modernizuar, me sisteme të jashtëzakonshme mobilizimi.”

Në rastin e Finlandës, tashmë është duke u zhvilluar një formë e integrimit ushtarak. Ekuipazhet britanike të tankeve së fundmi shkuan në stërvitje me një brigadë të blinduar finlandeze, së bashku me trupat amerikane, letoneze dhe estoneze si pjesë e të ashtuquajturës Forca e Përbashkët Ekspeditë e NATO-s (JEF). Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se qëllimi ishte “të pengonte agresionin rus në Skandinavi dhe shtetet baltike”.

Por cili është problemi nëse njëra ose të dyja vendet duan të bashkohen?

Rusia, e më konkretisht presidenti Vladimir Putin, nuk e sheh NATO-n si një aleancë mbrojtëse. Krejt e kundërta. Ai e sheh atë si një kërcënim për sigurinë e Rusisë. Ai ka parë i shqetësuar teksa NATO zgjerohej në mënyrë të qëndrueshme drejt lindjes, duke iu afruar më shumë Moskës, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991.

Kur Putin ishte një oficer i ri i inteligjencës në sigurimin shtetëror sovjetik, KGB, Moska kontrollonte të gjitha vendet e Europës Lindore, me trupa ruse të vendosura në shumicën prej tyre. Sot, pothuajse të gjitha këto vende kanë zgjedhur të shikojnë nga perëndimi dhe t’i bashkohen NATO-s. Edhe shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, vende që dikur, pa dëshirë, ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, i janë bashkuar aleancës.

Vetëm 6% e kufijve të mëdhenj të Rusisë janë me vendet e NATO-s, megjithatë Kremlini po ndihet i rrethuar dhe i kërcënuar. Pak para se Presidenti Putin të dërgonte trupat e tij në Ukrainë më 24 Shkurt, ai kërkoi një rivizatim të hartës së sigurisë së Europës. Trupat e NATO-s, këmbënguli ai, duhet të tërhiqen nga të gjitha këto vende të Europës Lindore dhe asnjë vend i ri nuk duhet të lejohet të bashkohet.

Pushtimi i tij duket se tashmë po shkakton të kundërtën.

Për dekada, Finlanda dhe Suedia e kanë ushqyer me kujdes neutralitetin e tyre. Nga ana kulturore, ato janë të vendosura në kampin perëndimor, por deri më tani kanë qenë të kujdesshme për të antagonizuar fqinjin e tyre gjigant të armatosur me armë bërthamore, Rusinë. Pushtimi i Ukrainës nxiti një rimendim radikal, me qeverinë dhe njerëzit që pyesin veten nëse nuk mund të jenë më të sigurt në fund të fundit “brenda çadrës”, duke u strehuar nën mbrojtjen kolektive të NATO-s të njohur si “Neni 5”. Sipas këtij neni, siç dihet tashmë, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Një sondazh i fundit në Finlandë tregoi se 62% e finlandezëve ishin në favor të anëtarësimit.

Çështja në favor

Nga një perspektivë thjesht ushtarake, shtimi i ushtrive të konsiderueshme të Finlandës dhe/ose Suedisë do të ishte një fuqizim i madh për fuqinë mbrojtëse të NATO-s në veri të Eeuropës, ku ajo është më e madhe se forcat ruse.

Finlanda, thotë Ben Hodges, sjell avionë luftarakë F35, Suedia sjell bateritë e raketave Patriot dhe ka risiguruar ishullin e saj të madh baltik, Gotland. Forcat e armatosura të Finlandës dhe Suedisë janë ekspertë në luftën e Arktikut, duke u trajnuar intensivisht për të luftuar dhe mbijetuar në pyjet e ngrira të Skandinavisë. Kur Rusia pushtoi Finlandën në Luftën e Dytë Botërore, finlandezët luftuan ashpër kundër pushtuesve, duke u shkaktuar humbje të rënda.

Gjeografikisht, Finlanda plotëson një boshllëk të madh në mbrojtjen e NATO-s, duke dyfishuar kufirin e saj me Rusinë. Siguria dhe stabiliteti në Detin Baltik, thotë Hodges, tani janë përmirësuar në mënyrë dramatike.

Politikisht, kjo do të shtonte kohezionin e mbrojtjes reciproke perëndimore, duke i dërguar një sinjal Putinit se pothuajse e gjithë Europa është e bashkuar kundër pushtimit të tij të një vendi sovran, Ukrainës.

Çështja kundër

E thënë thjesht, rreziku këtu është se një zgjerim kaq i madh i NATO-s, pikërisht në pragun e Rusisë, alarmon dhe zemëron Kremlinin aq shumë sa ai përgjigjet duke sulmuar në njëfarë forme. Kur Putini kërcënoi se do të merrte “masa teknike ushtarake” në përgjigje të kësaj, ajo konsiderohet gjerësisht si dy gjëra: një përforcim i kufijve të tij duke lëvizur trupat dhe raketat më afër Perëndimit dhe ndoshta një rritje e sulmeve kibernetike në Skandinavi.

Qëndrimi neutral i ka shërbyer shumë mirë Suedisë gjatë viteve. Heqja dorë nga ai neutralitet nuk duhet marrë lehtë. Do të ketë gjithashtu një kosto ekonomike për industrinë vendase të armëve të Suedisë, nëse vendi detyrohet të blejë armë të NATO-s në vend të tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov ishte i prerë duke paralajmëruar se bashkimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO “nuk do të sjellë siguri më të madhe për Europën”.

Vladimir Putinit i pëlqen t’u kujtojë njerëzve kohën në rininë e tij kur ai futi në cep një mi në një dhomë dhe ai u kthye kundër tij duke e sulmuar. Putin dhe këshilltarët e tij tashmë fajësojnë NATO-n, me disa justifikime, për pengimin e planeve të tyre për të marrë nën kontroll Ukrainën. Nëse ata vendosin, në mënyrë të paarsyeshme, që ky zgjerim i papritur në krahun e tyre verior paraqet një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Rusisë, atëherë nuk dihet saktësisht se çfarë mund të bëjë Moska si përgjigje./tvklan.al