Zgjerohen hetimet për skandalin tek “Shefqet Ndroqi”



Zgjerohen hetimet për skandalin tek “Shefqet Ndroqi”

15:36 18/01/2021

Pritet të merren në pyetje anëtarë të stafit mjekësor

Pak ditë pas arrestimit të 58-vjeçares Tire Alldervishi, prokuroria ka zgjeruar hetimet për të parë nëse ka pasur persona të tjerë me të cilët ajo ka  bashkëpunuar.

Sanitarja Alldervishi u denoncua në emisionin stop në Tv Klan, teksa shtirej si infermiere duke i marrë vajzës së një pacienteje të sëmurë me Covid, 8 milionë lekë për t’u kujdesur për të.

Gjatë këtyre ditëve hetuesit kanë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në spitalin “Shefqet Ndroqi” për të parë takimet që sanitarja zhvillonte me vajzën e pacientes, si dhe kontaktet që ajo mund të ketë patur me anëtarë të tjerë të stafit mjekësor me të cilët mund të ketë bashkëpunuar.

Gjithashtu është sekuestruar edhe regjistri i shërbimit spitalor, për të verifikuar se cilët mjekë dhe infermierë punonin në turnin që shërbente 58-vjeçarja Alldervishi.

Po kështu në dispozicion të hetuesve është vendosur edhe kartela mjekësore e pacientes që më vonë ndërroi jetë, për të parë nëse është trajtuar me ato medikamente, që familjarët e saj pretendonin se i blinin jashtë ambienteve spitalore dhe ia vinin asaj në dispozicion përmes 58-vjeçares Alldervishi.

Në përfundim të këtyre veprimeve, hetuesit do të marrin në pyetje personelin mjekësor, që pritet të japin deklarime në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë gjykata ditën që caktoi masën e arrestit me burg për Alldervishin, i kërkoi prokurorisë që të kryente hetime të thelluara për të parë nëse ka patur bashkëpunëtorë apo ka vepruar e vetme.

Tv Klan






Të ngjashme