Verifikimeve i bashkohet një inxhinier elektrik i pavarur, zjarrfikësit kërkojnë kamerat e sigurisë

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për zjarrin që një javë më parë shkrumboi magazinën e qendrës tregtare Casa Italia, ku humbi jetën Arjan Sala.

Burimet bëjnë me dije se për të verifikuar shkakun e zjarrit, pjesë e grupit të hetimit është bërë një inxhinier elektrik i pavarur.

Ky veprim është ndërmarrë nga hetuesit pasi dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një neon i vjetër në magazinën e nëndheshme. Gjithashtu mësohet se janë duke u kryer verifikime edhe nëse janë respektuar rregullat për mbrojtjen në punë.

Edhe pse këtë të mërkurë shënohet një javë nga ngjarja tragjike, hetuesit ende nuk kanë një konkluzion që përcakton shkaktarin e rënies së zjarrit. Mësohet se hetuesit janë duke pritur përgjigjen e ekspertizave që janë mbledhur si prova në vendin e ngjarjes.

Për këtë arsye ekspertët e repartit të zjarrfikësve kanë ri-inspektuar ambientet e qendrës tregtare për të kryer matje në terren, dhe për të parë me detaje planimetrinë e godinës.

Drejtoria e zjarrfikësve ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion dhe pamjet e kamerave të sigurisë që janë sekuestruar nga policia, për të bërë krahasimin e orareve kur ka ndodhur ngjarja, pasi në sallën operative është njoftuar në orën 16:32 minuta, ndërsa makina e parë ka mbërritur në vendngjarje në orën 16:38 minuta.

Klan News