Dekreti i ri italian do të qëndrojë në fuqi deri në 6 Prill, infektimet rriten sërish edhe në Europë

Pandemia Covid-19 vijon të përhapet me ritme të shpejta në Itali. Varianti anglez tanimë po bëhet edhe më dominues në të gjithë vendin. Dekreti i miratuar nga kryeministri Mario Draghi ka hyrë në fuqi dhe do të zgjasë deri për periudhën e Pashkëve.

Ngjyrat e disa rajoneve gjithashtu do të ndryshojnë: Campania dhe Emmilia Romagna me të kuqe; Friuli Venezia Giulia dhe Veneto në portokalli; Sardenja e bardhë, me teste të detyrueshme për mbërritjet.

Midis risive është edhe rihapja e kinemave dhe teatrove nga 27 Mars dhe hapja e muzeve në zonën e verdhë gjithashtu gjatë fundjavave me rezervim. Vendpushimet e skive, palestrat dhe pishinat qëndrojnë të mbyllura.  

Dekreti, ndër të tjera, përfshin edhe ndalimin e lëvizjes midis rajoneve, edhe nëse ato janë në një brez të bardhë ose të verdhë. Njerzit mund të dalin vetëm për arsye të punës, shëndetit dhe urgjencës, me formularin e autorizimit. Ndërkaq baret dhe restorantet do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00. Ata që jetojnë në zonën e kuqe nuk mund të shkojnë në shtëpitë e miqve dhe të afërmve.

 Po ashtu të gjitha qendrat tregtare dhe tregjet do të jenë të mbyllura, me përjashtim të farmacive, parafarmacive, garnizoneve sanitare, produkteve ushqimore, produkteve bujqësore dhe kopshtarie, duhanit, ​​stendave të gazetave dhe librarive.

Në pjesën më të madhe të Europës, infektimet me Covid-19 po rriten sërish, çka paralajmëron nisjen e një tjetër vale përhapjeje. Franca vijon të ketë një numër të lartë të infektimeve ditore me gati 24 mijë, dhe 305 vdekje në vetëm 24 orëshin e fundit. Qeveria franceze ka ndaluar të gjitha lëvizjet në fundjavë me rajonin e Pa de Kalesë në veri edhe në Nicë në Jug. Nivele të larta infektimesh ka edhe në Gjermani, Çeki, Greqi, etj.

Infektime të ulta ka regjistruar Britania e Madhe për shkak edhe të vaksinimit të popullësisë. Mbretëria e Bashkuar numëron 4.2 milion të infektuar dhe 124 mijë vdekje. I gjithë globi numëron mbi 116 mijë të infektuar dhe gati 2.6 milion kanë humbur jetën që kur virusi u përhap.

Klan News