Kalon te “Ligjet”, të enjten miratohet në seancë plenare
Amnistia Penale mori dritën e fundit jeshile në komisionet parlamentare, por me disa ndryshime. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja njoftoi për zgjerimin e skemës së përfituesve, duke e çuar për burrat uljen e dënimit me 4 vjet, ndërsa për gratë 5 vite.
Amendamenti i Enelejd Alibeajt për lirimin nga akuza të protestuesve të opozitës do të pranohet pjesërisht, pasi do të përjashtohen disa kategori, ata që kanë qenë të armatosur, janë përplasur fizikisht me policinë apo kanë ndezur zjarr.
Ky pranim i pjesshëm i propozimit të Alibeajt, vendosi në pikëpyetje votën pro të grupit të Lulzim Bashës në seancë plenare.
Paketës së amnistisë iu shtua në moment të fundit një propozim tjetër nga PD. Këtë herë nga deputeti i grupit të Gazment Bardhit, Bledjon Nallbati që kërkon të amnistojë me ulje dënimi 1 vit për burrat dhe 1.5 për gratë, përfshirë dhe ata që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Ky propozim i Nallbatit ngriti pikëpyetje nëse nga ky lehtësim do të përfitojnë dhe zyrtarë të lartë, subjektë të SPAK. Relatori Plarent Ndreca sqaroi se kjo kategori nuk përfshihet në këtë propozim.
Nga kjo amnisti do të përfitojnë 700 të dënuar dhe 2.2 mijë të dënuar me shërbim prove. Së bashku me ndryshimet e bëra, shumica socialiste dha votën për ta kaluar në seancën plenare të ditës së enjte.
Ndërkohë, 3 prej deputetëve socialistë, Aurora Mara, Olta Xhaçka dhe Damian Gjiknuri ndryshimet e reja i dëgjuan nga makina apo restoranti, duke ngritur dhe kartonin jeshil jashtë ambientit të kryesisë apo zyrave të punës.
Klan News