Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas po punohet paralelisht për zgjerimin e terminalit, rehabilitim e pistës, si dhe shtimin e vendqëndrimeve të avionëve. Zv/Kryeministrja Belinda Balluku inspektoi punimet dhe tha se këto investimet do t’i përgjigjen fluksit në rritje të pasagjerëve dhe turistëve.

Belinda Balluku: Investimi i përgjigjet rritjet së ndjeshme të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve. Të dhënat e muajve të parë të këtij viti parashikojnë që vitit 2024 të sjellë në Shqipëri një numër akoma edhe më të madh të pasagjerëve, krahasuar me vitin e kaluar.

Balluku nënvizoi se falë investimeve të reja në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, do të jenë të mundura edhe fluturimet transoqeanike.

Ndërsa drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil tha se zgjerimi i terminalit rrit kapacitetet përpunuese të aeroportit dhe portat për udhëtarët.

Maksim Et’hemaj: Po ndërhyhet për të mbështetur rritjen e numrit të pasagjerëve.  Aeroporti i Tiranës, në orën më të ngarkuar, akomodon 30 mijë pasagjerë.  Ne jemi në gjendje të akomodojmë në një orë 30 mijë pasagjerë.

E gjitha faza e punimeve në Aeroportin e Rinasit do të perfundojë në verën e vitit të ardhshëm duke ofruar krejtësisht të tjera standarde për aviacionin e vendit tonë.

Klan News