UNESCO miraton zgjerimin e zonës së mbrojtur rreth Liqenit të Ohrit, në pjesën shqiptare. Deri në Shkurt i është lënë detyrë Maqedonisë së Veriut të dhe Shqipërisë të kenë zgjidhur disa probleme të konstatuara.

Me fjalët “degradim”, “lënie pasdore”, “moskujdesje” e të ngjashme, pjesëmarrësit e takimit të Komisionit për trashëgimi kulturore të UNESCO-s në Baku të Azerbejxhanit, e kanë përshkruar ngecjen e rajonit të Ohrit lidhur me kushtet për mbijetesën e llojeve endemike të bimëve dhe peshqve, por edhe të arkitekturës dhe ndërtimet e vjetra.

Shembujt që janë paraqitur për përshkrimin e ngecjes në katër dekadat e fundit, kanë të bëjnë me ndërtimet e jashtëligjshme dhe në rritje të industrisë së turizmit, por edhe ndotjen e ujit të liqenit, me ujëra fekal duke vënë në rrezik florën dhe faunën.

“Ky rajon është goditur nga një zhvillim jo përkatës dhe është lënë pasdore. Planifikimi ka qenë kryesisht joefikas dhe i dëmshëm, në veçanti rreth ndërtimit të infrastrukturës për nevojat e turizmit. Kualiteti i ujit është shqetësimi kryesor kur bëhet fjalë për mbrojtjen e natyrës”.

Por, kërkesa e Shqipërisë që të zgjerohet zona nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke llogaritur edhe gadishulli Lin dhe gjithë sipërfaqen e ujit, në njëfarë mënyre ka ndihmuar edhe Maqedoninë  e Veriut, që të mos hyjë në listën e trashëgimeve natyrore e kulturore të rrezikuar.

“Ne jemi të lumtur që i gjithë rajoni i Ohrit do të mbulohet dhe do të mbrohet si Trashëgimi Botërore Kulturore. Por, megjithatë, edhe pse i pranojmë vërejtjet e evaluimit se ekzistojnë çështje që ngrenë shqetësime serioze, si presionet nga turizmi, peshkimi i tepruar, kontaminimi i ujit. Ne kemi dorëzuar një amendament, për shkak se vlerësojmë se dy vendeve duhet t`u jepet kohë, që me bashkëpunim ndërkufitar t`u përgjigjen këtyre kërcënimeve me të cilat ballafaqohen. Këtë herë të mos futen në listën e trashëgimive të rrezikuara”.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ministri i Diasporës Edmond Ademi, i cili kërkoi afat deri në Shkurt të vitit të ardhshëm që të eliminohen problemet, ka falenderuar dhe ka përshëndetur zgjerimin e zonës së mbrojtur në anën e Shqipërisë, duke shfaqur shpresën se në seancën e ardhshme të përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut – Shqipëri do të diskutohet kjo temë.

“Komiteti vendosi që të mos e vendosë Ohrin dhe Rajonin e Ohrit në listën e trashëgimisë së rrezikuar kulturore. Vendimi i sotëm është shtytje dhe përkrahje për Qeverinë, për Komunat dhe për të gjitha institucionet t`i zbatojnë rekomandimet tjera”.

Autoritetet lokale në Ohër kanë identifikuar mbi 1000 ndërtime të egra në zonën e mbrojtur afër Liqenit, por edhe lëshime në funksionimin e kolektorit, që ka rezultuar me ndotje të ujit. Por, OJQ-të ashpër kanë kritikuar pushtetin lokal dhe atë qëndror, që për katër dekada në vend të konservimit kanë lejuar degradimin e rajonit dhe cënimin e rreth dy mijë llojeve endemike. Amendamentin e Hungarisë, që t’u jepet kohë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e kanë përkrahur Norvegjia, Tunizia, Kina, Azerbejxhani, Brazili, Guatemala dhe vende të tjera.

Tv Klan