Komiteti Ekzekutiv vendosi qytetet të cilat do të presin finalet e kompeticioneve për klube të UEFA-s në katër vitet e ardhshme.

Finalja e këtij sezoni në Champions do të zhvillohet në stadiumin e Shën Petersburgut në Rusi. Stadiumi “Olimpik Ataturk” në Stamboll do presë finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2023.

Metropoli turk ishte caktuar që të priste finalen e Champions League të sezonit 2020-2021,  por për shkak të pandemisë u zhvendos në Porto të Portugalisë.

Gjithashtu, në Stamboll do të hidhet edhe shorti i tri kompeticioneve të UEFA-s për 2 sezonet e ardhshme.

Finalja e Ligës së Kampioneve 2023 që ishte parashikuar të zhvillohej në Mynih, do zhvendoset në vitin 2025.

Stadiumi “Uembli” ka ruajtur të drejtën për të organizuar finalen e Champions në vitin 2024.

UEFA vlerësoi organizimet e bëra te qytetet e Dublinit dhe Bilbaos, të cilat për shkak të COVID-19 u tërhoqën nga pritja e ndeshjeve të Euro 2020.

Komiteti Ekzekutiv caktoi që Dublini të presë finalen e UEFA Europa League në vitin 2024, ndërsa Bilbao do të presë finalen e UEFA Champions League për femra në po këtë vit, dhe finalen e UEFA Europa League në vitin 2025.

Klan News