“5 yjet” dhe demokratët formojnë koalicionin qeverisës

Shmangen zgjedhjet e parakohshme në Itali. Edhe pse kundërshtarë të ashpër vitet e fundit, demokratët ranë dakord me Lëvizjen 5 Yjet për formimin e një koalicioni të ri qeveritar. Kryeministër do të jetë sërish Giuseppe Conte , i cili paraditen e të enjtes do të mandatohet nga presidenti Matarela.

Pas përfundimit të takimit me kreun e shtetit, drejtuesi i Lëvizjes 5 Yjet Luixhi di Maio tha se bashkëpunimi me demokratët ishte mundësia e vetme për të shmangur krizën politike, që nuk i shërben aspak Italisë kur shqetësimi kryesor mbetet ekonomia.

Kreu i 5 Yjeve tha se kishte refuzuar ofertën e ish-aleatit Salvini për një tjetër qeveri të përbashkët që mund t’a drejtonte vetë Di Maio. Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i përgjithshëm të demokratëve Nikola Cingareti.

Kreu i Lega Nord, Mateo Salvini akuzoi dy partitë për pazare ministrash, që kanë shmangur vëmendjen nga zgjidhjet e problemeve për italianët. Analistët thonë se tashmë edhe dështimi më i vogël i qeverisë së re që synon të qëndrojë në pushtet deri në 2023-shin do të përkthehet në rritjen e mbështetjes për Lega Nordin dhe të djathtën.

Tv Klan