Ky është projekti i studios daneze “Cebra”, që fitoi konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e godinës “Multifunksionale të Tiranës”, e cila do të ngrihet në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës. Mes krijimeve të 5 studiove prestigjioze ndërkombëtare, juria vlerësoi projektin fitues për ekuilibrin midis funksionalitetit dhe kontributit për hapësirën urbane.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe anëtar i jurisë e konsideroi këtë ngjarje të rëndësishme sa i takon modernizimit të kryeqytetit

 “Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli.”

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, duke theksuar se kjo ndërtesë polifunksionale do të sjellë më shumë punësim, bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të prezantohet edhe projekti për godinën e re të Teatrit të ri Kombëtar.

“Tirana Multifuncional Center” do të jetë ndërtesa më e re që do të ngrihet në zemër të Tiranës, pas Pallatit të Kulturës, e do të përmbajë qendra biznesi, brandet më të njohura të restoranteve, apartamente dhe parkim publik.

Tv Klan