Siguroi 101 vota nga Parlamenti, do të ketë mandat 7-vjeçar

Olsian Çela është Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë me mandat 7-vjeçar. Ai bëhet drejtuesi i parë i kësaj prokurorie me mandat të plotë pas nisjes së Reformës në Drejtësi.

Çela mori në Kuvend 101 vota pro, 2 kundër dhe 8 abstenim, duke lënë pas Fatjona Memçajn që siguroi 8 vota dhe Arta Markun vetëm 11 vota.

Kjo e fundit mbajti postin e Kryeprokurores për 2 vite, pasi mori drejtimin e organit qendror të akuzës në Dhjetor të 2017-ës vetëm me votat e socialistëve.

Olsian Çela ushtronte detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai u rendit i pari në listën e Këshillit të Lartë të prokurorisë duke siguruar 459 pikë, i ndjekur nga Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Përballë KLP-së, Çela paraqiti platformën e tij ku premtoi hetime me të thelluara dhe kontroll më të madh të punës së prokurorëve. Çela tha se do të krijonte bashkëpunim me disa institucione dhe se do të monitoronte punën e prokurorëve.

Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001 dhe 3 vite më vonë u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për katër vite. Çela ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016-ën.

Tv Klan