Presidenti serb Aleksandar Vuçiç paralajmëron se në fund të Prillit do të bëjë publik propozimin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke folur në studion e emisionit “Cirilika”, Vuçiç i quajti jo serioze propozimet për ndarjen e Kosovës, të ardhura edhe nga disa prej ministrave të qeverisë serbe.

“Do të kem guximin të dal me një zgjidhje kompromisi. Nëse shqiptarët nuk e pranojnë, atëherë do të kemi një konflikt të ngrirë”.

Vuçiç pranon se qeveritë perëndimore i kanë propozuar zgjidhje në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por shpjegon se si është kundërpërgjigjur.

“Bota perëndimore që ka njohur pavarësinë e Kosovës më ka dërguar shpesh letra me propozime që ne të njohim Kosovën. Dhe unë i kam marrë e i kam grisur!”

Sipas Vuçiçit është e pamundur që t’u kërkohet serbëve heqja dorë nga një territor prej 10 mijë kilometrash katrorë, pa u dhënë atyre asgjë në këmbim. Gjithsesi, presidenti serb shpreh bindjen se çështjes së Kosovës i duhet dhënë zgjidhje. Në media është përfolur edhe varianti i një referendumi popullor për pranimin ose jo të pavarësisë së Kosovës. 

Tv Klan