“Kërkojmë ndryshim të sistemit zgjedhor”

Sikundër në 2017 në kulmin e krizës politike pas ngujimit të opozitës në çadër, aleati i demokratëve, Fatmir Mediu vjen me një tjetër propozim, me qëllim vendosjen e një dialogu mes palëve për kapërcimin e situatës. Kësaj radhe formulën e daljes nga kriza kryerepublikani e gjen jo vetëm tek zgjedhjet e lira e të ndershme, por tek mekanizmi që thotë se e garanton këtë proces; ai për ngritjen e një Komiteti Kombëtar për Integrimin, të cilin ia beson dy ish- ministrave të jashtëm.

“Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish-Ministra të Jashtëm, konkretisht z. Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit.”

Nga Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane, Mediu propozoi që krahas zbatimit të 9 kushteve të Bundestagut, komiteti duhet mandatuar me ligj për të bërë reformë kushtetuese, rishikimin e Reformës Administrative e në mënyrë të veçantë të përfundojë me konsensus sa më parë reformën zgjedhore. Ndaj dhe Lulzim Bashës i ripërsëriti kushtin për ndryshimin e sistemit.

“Në thelb të këtij propozimi, qëndron Sistemi Proporcional Kombëtar me lista të hapura, sipas së cilës votuesi përzgjedh partinë që dëshiron dhe brenda kësaj partie 10% të kandidatëve të listës së asaj partie. Në fund deputetë përzgjidhen ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar. Po ashtu mbetjet e votave i shkojnë listës së partisë përkatëse, votat të cilat nuk plotësojnë numrin e nevojshëm për deputet, i shkojnë Partisë me presjen më të madhe dhjetore.”

Për ta kthyer opozitën në një alternative qeverisëse, Lulzim Bashën e ftoi të ndjekë modelin e ish-kryeministrit Berisha dhe të afrojë në gjirin e së djathtës figura me kontribute e peshë politike që sot nuk janë më pjesë aktive në politikë.

“Historia politike e ndjekur nga Berisha në vitet 2000-2005 në opozitë është një histori suksesi për ndërtimin e koalicionit, marrëdhënieve me ndërkombëtarët, bashkimin e të djathtës së përçarë dhe finalizimi me KOP, duke ofruar në garën elektorale, politikëbërje dhe qeveri, figura të reja. Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura intelektuale të artit, mjekësisë, universiteteve, kulturës, me figura të shquara, që janë jashtë vendit.”

Sikundër Lulzim Basha edhe aleati i tij mendon se zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë, janë rruga e kapërcimit të krizës së rëndë politike.

Tv Klan