Ish-deputeti Astrit Patozi mendon se ka dy zgjidhje për situatën ku Partia Demokratike ndodhet në këto momente. Ose njëri të mundë tjetrin, tha ai, por po sipas Patozit kjo nuk ndodh sepse Basha nuk do të zhvillojë betejë politike, ose zgjidhja tjetër është ndarja e PD. Sipas ish-nënkryetarit të PD-së, ky është shpëtim për selinë blu.

Patozi tha se në këtë lloj “katandisje që është sot, PD është turpi i demokracisë në Shqipëri” dhe kjo sipas tij, për shkak të përplasjes Berisha-Basha. Kjo deklaratë e Patozit, solli reagimin e Edit Harxhit, e cila i bëri ftesë t’i bashkohej foltoreve të Berishës. Por Patozi e mohoi dhe tha se takimet e Berishës kanë për synim ndarjen.

Ish-deputeti demokrat shtoi se kur ai vetë pati organizuar foltore, e pati bërë për bashkimin e partisë, por nuk u pranua nga Basha e Berisha, që sipas Patozit kanë qenë “paketë” deri më 9 Shtator. “Dhe unë të kthehem prapë aty? Të kthehem tek kjo foltorja ku ai thotë të ikë andej nga ka ardhur “ti qen bir qeni”, “ky maskara” që ishte 17 vjet ylli në ngjitje dhe e vetmja zgjidhje e PD. Po ç’lidhje kam unë me të?!”, tha Patozi ndër të tjera.

Pjesë nga debati në studio:

Astrit Patozi: Edhe unë besoj që kjo duhet të jetë rruga dhe zgjedhja politike. Kjo nuk ka për të ndodhur se jetojmë në Shqipëri dhe jetojmë në Partinë Demokratike, ku janë dhënë me qindra shembuj të shkeljeve të paskrupulta të shkeljeve të statutit dhe kështu me radhë. Kështu ka për të ndodhur. Duhet të pranojmë realitetin. Realiteti është ky. Kemi dy reparte ushtarake që duan të bëjnë luftë me njëra-tjetrën. Njëra palë nuk do që të luftojë, por do që të rrijë në kështjellë, pala tjetër kërkon patjetër betejë, e cila nuk ka për t’ju dhënë.

Blendi Fevziu: Zgjidhja është të bëhen dy parti thua ti?

Astrit Patozi: Pra njëra palë ka zgjedhur populizmin, që ta mundë tjetrin duke e kërcënuar nga jashtë dhe kjo është foltorja. Pala tjetër ka vendosur që të shtrëngojë letrat e statutit. Tani armët nuk ua zgjedhim ne atyre dhe nuk ndërhyjmë dot. Ata do ta çojnë deri në fund këtë betejë.

Blendi Fevziu: Do ta shkatërrojnë deri në fund thua ti?

Astrit Patozi: Kjo është pyetja që duhet të bëjmë sot ne. PD ka dy zgjidhje!

Blendi Fevziu: Që janë?

Astrit Patozi: Ose njëri të mundë tjetrin, që nuk ndodh dot se nuk do të ketë betejë dhe unë jam i bindur për këtë punë. S’do të japë betejë ai. Dhe tjetri është të ndahet. Versioni i Zhejit është shumë i mirë, utopik, nuk ndodh. Pse them unë që ndarja e PD, kur bashkëjetesa është e pamundur sepse palët kanë shkuar shumë keq dhe nuk mund të qëndrojnë në një shtëpi bashkë dhe në kushtet që asnjëra nga palët nuk e mund dot tjetrën se kanë zgjedhur armët e përshtatshme për të mos dorëzuar pushtetin…

Edit Harxhi: Si do ndahen?

Astrit Patozi: Ja ta them unë si do ndahen…

Edit Harxhi: Do ndahet 70% me 30%?

Astrit Patozi: Po!

Edit Harxhi: Mazhoranca me minorancën? Ndarja duhet të jetë e barabartë.

Astrit Patozi: Pse 50 me 50 ndahen partitë? Mos qaj ti për ndarjen e PD se nuk ka ndonjë problem. PD është ndarë 10 herë dhe nuk e ka gjetur gjë. Ne gjallë jemi të gjithë. Dua të them që ndarja në PD është shpëtim. Unë e kam për të mirën e PD dhe kjo s’ka për të ndodhur. Ndarja është kjo: Mirë ai që shtrëngon çelësat e SHQUP-it, por kjo pala tjetër pse nuk e demonstron forcën përmes një sigle tjetër. Pse sigla e PD është Meka e demokracisë në Shqipëri? PD në këtë lloj katandisje që është sot është turpi i demokracisë në Shqipëri, për shkak të atyre dy personave që po kacafyten sot. Nuk ka Mekë!

Edit Harxhi: Unë ju ftoj të merrni pjesë në foltore!

Astrit Patozi: Unë të marr pjesë në foltore?

Edit Harxhi: Po i keni bërë vetë foltoret?

Astrit Patozi: Nuk kam asnjë lidhje.

Edit Harxhi: Ju i nisët si traditë!

Astrit Patozi: Meqë ma kujtove, foltore kam bërë unë, bashkë me disa kolegë. Ne kemi bërë 5 foltore, Sali Berisha ka bërë 15. Ne kishim foltore bashkimi, Sali Berisha ka foltore ndarje sepse thotë “ai duhet të ikë andej nga ka ardhur”. Unë kam qenë udhëheqësi i foltoreve asaj kohe. Unë kisha këtë parasysh që PD të bashkohej duke na përfillur. Ne i thamë PD keni nevojë për ne? Pra Sali Berishës dhe Lulzim Bashës që ishin bashkë paketë sepse ashtu kanë qenë deri më 9 Shtator. Paketë! Ne i kërkuam me shumë mirësjellje dhe ata thanë “nuk kemi nevojë për ju. Qërohuni”. Dhe unë të kthehem prapë aty? Të kthehem tek kjo foltorja ku ai thotë të ikë andej nga ka ardhur “ti qen bir qeni”, “ky maskara” që ishte 17 vjet ylli në ngjitje dhe e vetmja zgjidhje e PD. Po ç’lidhje kam unë me të?!

Edit Harxhi: Ju keni qenë nënkryetar i Partisë për disa vite. Keni pasur pozicione më të larta!

Astrit Patozi: Po dakord, i kam pasur!

Edit Harxhi: Pse nuk keni folur në 2013 për këto çështje?

Astrit Patozi: Unë nuk kam folur? Unë kam folur për të gjitha çështjet./tvklan.al