Në 12 Shkurt emisioni “Stop” transmetoi rastin e Cërrikut për Hamide dhe Shefit Pëllumbin. Ata janë nënë e bir dhe të dy e kanë të pamundur të flasin, të lëvizin dhe të kujdesen për njëri tjetrin.

Tomorr Feza, një banor i lagjes, ka qenë ai që është kujdesur për Hamiden dhe Shefitin. Ai tregoi, se nëna është e paralizuar prej gjashtë vitesh, ndërsa djali prej disa muajsh.

Ky i fundit ka qenë në Greqi me gjithë familjen, është divorcuar dhe më pas ka rënë nga skela. Feza tha, se ata kishin vetëm një pension 170 mijë lekë, me të cilin duhet të blejnë ushqime, pampersa, ujë e drita.

“Stop” u rikthye në familjen e Shefit dhe Hamide Pëllumbit. Pas transmetimit të rastit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i institucioneve.

Po ashtu edhe i qytetarëve, të cilët janë solidarizuar duke dërguar ndihma.

Elmira Isaraj ka dërguar 50 Euro, Ilir Ahmetaj nga Gjermania 100 Euro dhe Qazim Hilaj ka dërguar 500 mijë lekë të vjetra. 

Tomorri, që kujdeset për dy të pamundurit, thotë, se ata janë marrë për kujdes shëndetësor. Shefiti u shtrua në spitalin e Elbasanit dhe nënë Hamidja u mjekua dhe u çua në Azilin e Shkodrës.

“e moshuara është sistemuar pranë Shtëpisë së të Moshuarve Shkodër që nga data 18 i këtij muaji. Për shefit Pëllumbin ka qenë i shtruar në pavijonin e neurologjisë ku ka kryer një sërë ndërhyrjesh dhe është pajisur me fletë drejtimi për KEMP. Nesër del për komision dhe çështja do i niset Tiranës. Familja është mbështetur me paketa ushqimore, batanije dhe dru zjarri. Rasti është zgjidhur tashmë dhe Shefiti do të ndiqet në vazhdimësi nga sektori social”.