Një film thriller që ka brenda shumë mister dhe enigma të pazgjidhura. Në kuadër të javës spanjolle të letërsisë 2019, ambasada spanjolle në Tiranë shfaqi ditën e djeshme premierën e filmit “Zgjimi i Enver Simakut”. Ky film është frymëzuar nga trazirat e ’97-ës në Shqipëri dhe në të luajnë aktorë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili dhe aktori nga Kosova Lulzim Guhelli, të cilët luajnë krahas atyre ndërkombëtarë.

Regjisori i njohur Pirro Milkani, i cili i ka dhuruar kinematografisë shqiptare dhjetëra filma, vjen me një rol të thjeshtë, të një mësuesi fshati me bindje komuniste deri në fund, por që fenomenin e vdekjes donte ta denonconte sepse ishte i ndershëm. Ndërsa aktorja Ema Andrea, vjen në rolin e historianes.

Për të folur më shumë rreth filmit ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Pirro Milkani dhe aktorja Ema Andrea.

 “Xhirimet e filmit janë bërë në Shqipëri dhe në Spanjë. Është i pari produksion spanjoll dhe ka qenë i suksesshëm. Është një fillim shpresëdhënës për një regjisor të ri, i cili nuk e ka bërë për të spekuluar, por i ka ardhur në mënyrë organike kjo gjë. Marco është djali i një komunisti spanjoll, i cili për disa vjet punoi në Radio Tirana në emisionet e gjuhës shqipe. Ai kishte dëgjuar për Shqipërinë nga babai i tij dhe pas viteve ‘90 babai e solli Marcon disa herë. Ai u lidh veçanërisht me festivalin e filmit në Pogradec dhe aty njohu drejtpërdrejtë kinematografinë shqiptare dhe i lindi ideja për filmin”,

tha Milkani.

“Unë luaj rolin e historianes. Ajo që është më e rëndësishme në gjithë thelbin e filmit është pikërisht e keqja që ne mbartim pa i vënë një emër. Edhe pse kujtojmë se politikisht e kemi çliruar, ka ndryshuar sistemi, por në të tilla momente kuptojmë që ajo e keqe ndodhet brenda secilit dhe mjafton të gjejë një moment që të shpërthejë. Është një realitet i parë nga këndvështrimi i një vizitori. Aktori kryesor është gjerman, por që jeton në Spanjë”,

tha Andrea.

/tvkaln.al