Kryeministri Edi Rama zgjodhi që të mbajë mandatin që fitoi në Durrës në zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë i nisi shkresën KQZ-së ku i kërkonte që të mbante mandatin e fituar në Durrës dhe jo në Vlorë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka treguar pse ka marrë këtë vendim. Ai shprehet se Durrësi është vendi ku mandati i tretë duhet të sjellë një hop të ri jo vetëm për qytetin bregdetar, por për të gjithë Shqipërinë.

Kreu i qeverisë nuk la pa komentuar edhe për Vlorën, të cilën e la pas dy mandatesh të fituara aty. “Me mandat, pa mandat”, kryeministri thotë se nuk do të ndahet kurrë nga qyteti i Vlorës.

“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama garoi në zgjedhjet e 25 Prillit në dy qarqe, Durrës dhe Vlorë./tvklan.al