“E Diela Ndryshe” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është gati për misionin e saj të parë. Ardit Gjebrea dhe Arbër Hajdari nisen drejt Ballshit, në shtëpinë e Silvana Isufit. Shtëpia është e rrënuar, trarët e tavanit të kalbur, muret të çarë, mobiliet  të vjetruara dhe në të jetojnë një nënë e vetme me të birin.

Ajo është 36 vjeçe, ka jetuar në Berat dhe më pas studioi në Tiranë për Shkenca Politike. Pamundësia  ekonomike nuk e lejoi të përfundonte universitetin dhe nisi punë në një rrobaqepësi, ku u njoh me bashkëshortin. Deoni ishte gëzimi i tyre i parë, por fati kishte rezervuar sfida të paimagjinueshme për  çiftin.

Në vitin 2020, bashkëshorti humbi jetën në një aksident. Silvana kujton sesi djali e parandjeu fatkeqësinë 3 ditë përpara se të mbërrinte lajmi i tmerrshëm. Ajo ngjarje e bëri të kalonte në depresion dhe dëshpërim të thellë, duke mos e lejuar të mendonte për gjë tjetër.

Silvana: Pata probleme shëndetësore. Dola me hepatitin B. Fillova të merrja mjekime se kisha hallin e djalit se mos merrte virusin tim. Kur erdhi në jetë djali, i bëmë vaksinën.

Ardit Gjebrea: Dhe çdo gjë në rregull.

Silvana: Deri këtu po. Çdo gjë,ishim shumë të lumtur me ardhjen e djalit.

Ardit Gjebrea: Ndryshoi, erdhi gëzimi në shtëpi.

Silvana: Një lumturi e madhe. Me bashkëshortin kalonim shumë mirë, nuk kishim konflikte e gjëra, ishim  shumë të lumtur. Ishte 10 muajsh e gjysmë djali. Flinim në një dhomë e kuzhinë se ishte më ngrohtë dhe  kishte dy divanë. Unë flija me djalin dhe burri flinte te divani tjetër. Fëmija në 3 të mëngjesit ngrihej me një ulërimë, qante, nuk e kuptonim se çfarë kishte dhe shkonte tek i ati, e përqafonte, mua kjo më tmerronte. 3 ditët e fundit para se burri të pësonte aksidentin. Ka qenë shkurt 2020. Burri u nis për në punë, iku në mëngjes dhe kur më marrin në telefon më pyesin, më thonë “me kë të iku burri në punë” dhe unë u them ka ikur vetëm, fillojnë telefonata të tjera, më thonë që “mos u mërzit se burri ka pësuar një aksident”. Unë isha një nënë e re dhe nuk e përballova dot atë lajm se ne sa e kishim ndërtuar, ishim një familje e re. E kam  përjetuar shumë keq. Kam kaluar në depresion, edhe fëmijën nuk e merrrja dot më në atë moment, nuk e di çfarë i kam bërë. Shtëpinë, çfarë kisha aty i hodha, nuk mendova gjë derisa më erdhën njerëzit që më mblodhën. Më thanë “shiko se ke fëmijën”, unë nuk e dija se çfarë do të thoshte fëmijë se isha një nënë e re, nuk e kuptoja që fëmija është gjithçka, është një lumturi më vete, pavarësisht se unë në atë gjendje nuk e kuptoja ç’do të thoshte.

Sot ajo shpreson se e ardhmja e  tyre mund të jetë diçka më e mirë dhe reflekton për dëshirat e shprehura nga dhimbja e pikëllimi.

Silvana: Në ato momente kam lutur Zotin, kam thënë o Zot mua jeta…më iku burri, më merr dhe mua e djalin pa e ditur se ç’do të thotë jeta më mbrapa dhe i kërkoj falje 1000 herë Zotit të madh që të mos më marrë djalin se ajo është pasuria, jeta ime tani.

Për të siguruar jetesën, Silvana punon në një supermarket në Fier si sistemuese. Çdo ditë, ajo shkon nga Ballshi drejt Fierit ku i duhet të shohë dhe përjetojë ndjesinë e humbjes së bashkëshortit në rrugën ku ka ndodhur aksidenti. Ajo lëngon për jetën e këputur në mes, ëndrrat, dashurinë që fatkeqësia nuk e kurseu.

Silvana: Ajo rruga mua më është bërë…  më kujton burrin sepse burri aty më ka rënë. E shikoj përditë. Më duket sikur… do të më vijë, më kujtohen gjëra sesi ka ndodhur, sesi ka rënë aty dhe mua më kalon në një ankth, në një stres më vete ajo pjesa aty, më rëndon psikologjikisht, mendërisht, i lutem Zotit më ndihmo sepse nuk është e lehtë për mua kur shikoj dashurinë time që iku, atë që unë kisha krijuar jetën.

Dhimbja prek edhe vogëlushin. Deoni e kërkon vazhdimisht të atin, të cilit nga fotot kuptohet se i ka ngjarë shumë. Shpesh, ai i shpreh Silvanës dëshirën për të blerë një tullumbace që t’ia dërgojë të atit.

Silvana: Më thotë “dua babin, më ka marrë malli, dua ta përqafoj, ta puth”. I them ke një faqe të babit dhe një të mamit që ti mund ta puthësh që të nxjerrë mallin. I them unë që na shikon babi, e kemi lart te qielli dhe më kërkon tullumbace, “më bli tullumbace që t’ia nis babit, që t’i nis një përqafim”. Më prek shumë. Qan, e kërkon./tvklan.al