Filmi “Zgjoi” triumfon në SHBA



Filmi “Zgjoi” triumfon në SHBA

12:10 03/02/2021

“Jeta e një vajzë të ve nga Krusha në qendër të zhvillimeve”

Tri çmime të rëndësishme ka fituar filmi “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit në festivali e filmit Sundance në SHBA. Në këtë festival, i cili është më i madhi i pavarur në SHBA, filmi “Zgjoi” fitoi çmimet si filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut.

Regjisorja Basholli në një videomesazh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në mënyrë virtual falenderoi Fahrije Hotin, një grua e ve nga Krusha e Madhe, jeta e së cilës është në qendër të zhvillimeve në këtë film.

“Mbi të gjitha falenderoj edhe festivalin Sundace, i cili na dha mundësinë ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e grave nga Kosova, të cilat përmes punës dhe këmbëngulësisë së tyre do t’i japin shoqërisë mundësi për ta bërë botën një vend më të shëndetshëm e më të barabartë për të jetuar”.

Fahrije Hoti, rolin e së cilës e luan aktorja Yllka Gashi, ishte vetëm 28 vjeç kur bashkëshorti i saj së bashku me 225 burra të tjerë të fshatit Krushë e Madhe u vranë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ajo ngeli vetëm me dy fëmijët. Në përpjekje për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës ajo bashkua me disa gra të tjera të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore Krusha.

Tani ndërmarrja e tyre punëson mbi 50 gra pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan






Të ngjashme