Zguri: Të dhënat janë marrë me telefon nga komisionerët

Zguri: Të dhënat janë marrë me telefon nga komisionerët

13:05 01/07/2019

Lidhur me problemet e konstatuara nga të dhënat paraprake të publikuara nga KQZ-ja, ku disa kryebashkiakë kanë marrë më shumë vota sesa numri total i votuesve, kreu i KQZ Klement Zguri në një deklaratë për mediat, tha se rezultatet janë marrë me telefon nga komsionerët dhe nuk janë zyrtare.

“Të dhënat për pjesëmarrje në zgjedhje që janë transmetuar nga KQZ ditën e diel janë të dhëna jo zyrtare dhe produkt i komunikimit me telefon nga administrata zgjedhore të marra nga komisionerët e qendrave të votimit dhe të KZAZ-ve çka sjell pasiguri për shifrat e raportuara. Në zgjedhjet e kaluara raportimi është bërë nga qendrat e votimit në sistemin elektronik dhe të dhënat nuk janë transmetuar me telefon sikur ndodhi këtë vit. Kjo gjë rrit pasigurinë lidhur me shifrat e transmetuara përmes raportimeve telefonike të komisionerëve të të gjitha niveleve me KQZ”.

Zguri tha se do jetë procesi hetimor administrativ, ai që do hedhë dritë lidhur me shifrat kontradikore.

“Në rast se të dhënat në shifrat e tabelave përmbledhëse janë kontradiktore atëherë kjo mund të jetë tregues paaftësie në dokumentim ose tregues parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet vetëm nga një proces hetimi administrativ. Ligjërisht KQZ ka dy mundësi për verifikim, mundësia e parë është gjatë plotësimit të tabelave të rezultatit përfundimtar. Gjatë këtij plotësimi KQZ zbulon dhe korrigjon gabimet. Rruga e dytë, ajo e shqyrtimi i ankimimeve zgjedhore kundër rezultatit ose kur kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve. Për këtë, duhet që subjektet zgjedhore të depozitojnë ankime. Domosdoshmërish kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore, që vënë në lëvizje KQZ. Ka rëndësi vënia në lëvizje e procedurës, nëse duam të kuptojmë të vërtetën e këtyre shifrave.

Kreu i KQZ, i bëri thirrje anëtarëve të tjerë të KQZ, që të ndjekin me kujdes raportimet në media dhe të zgjidhin problematikën.

Saktësia e tyre është vendimtare për cilësinë e procesit të 30 qershorit, ndaj KQZ duhet t’i trajtojë me seriozitet. Ftoj publikisht kolegët e mi në KQZ që ti ndjekin nga afër raportimet mediatike dhe të bëjnë gjithçka kanë në dorë që të sjellë qartësi të plotë për këtë problematikë”.

Më herët zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha deklaroi se: “Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimtare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit”./tvklan.al

 

Të ngjashme
UKT