Më shumë se 800 dosje me gjurmët e gishtërinjve dhe analizën e ADN-së së personave të dyshuar për terrorizëm janë shkatërruar gabimisht nga shërbimet sekrete dhe policia, duke ngritur një tymnajë skandali në Britaninë e Madhe.

Dosjet e shkatërruara përbëjnë 10% të 8 mijë materialeve të ruajtura në bazën e të dhënave të agjencisë së anti-terrorit. Të dhënat e fshira u referoheshin personave të dyshuar, të arrestuar nga policia, por të padënuar.

E përditshmja britanike “The Telegraph” e cila publikoi lajmin, shkruan se mbi 100 prej rasteve i përkisnin të dyshuarve të cilësuar si të rrezikshëm nga shërbimet e sigurisë.

Fshirja e tyre nga sistemi u bë si pasojë e një gabimi teknik, pasi dosjet e terroristëve të mundshëm ishin të papërfunduara dhe sipas ligjit ato fshihen pas një periudhe prej 6 muajsh.

Zyrtaret në vendin ishullor bënë thirrje për hapjen e një hetimi për këtë gabim, sipas tyre, të tmerrshëm. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Britania e Madhe, si pjesë e aleancës perëndimore kundër ISIS, është një nga shënjestrat e mundshme të terrorizmit. /TV KLAN