Ngjarja në Malësinë e Madhe, në zonë u dëgjuan të shtëna

Forcat e policisë së Malësisë së Madhe i kanë mbyllur pa rezultat kërkimet për 3 të rinjtë që janë zhdukur prej 48 orësh në fshatin Vrith pa lënë asnjë gjurmë. Me rënien e natës kërkimet u vështirësuan për shkak të terrenit dhe ato pritet të rinisin mëngjesin e së martës.

Vilson Çutaj, që shihni në këtë foto, së bashku me Klement Pepaj dhe Danjel Pepajn, kanë humbur kontaktet me familjen dhe policia dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje.

Banorët e fshatit Vrith kanë dëgjuar të shtëna me armë në malet e zonës. Burime nga Policia e Shkodrës thanë se kanë dyshime që Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, janë vrarë nga shoku i tyre Danjel Pepaj.

Edhe pse jo zyrtarisht, policia thotë se shkak i konfliktit dyshohet se mund të jetë kanabisi i kultivuar në zonat malore.

Prindërit e Klement Pepaj shprehen se djali i tyre nuk kishte konflikte, ndërsa dyshojnë pikërisht tek Danjel Pepaj, i afërm i tyre si autor ngjarjes.

Babai: Disa bashkëfshatarë tanë, thonë që ka pasur probleme droge. Thuhet që kanë dëgjuar krisma armësh afër një zonë pyjore. Djali i djalit të xhaxhait është parë me armë, me automatik, Danjeli. Dyshimet më të mëdha tek ai i kam (Danjeli).

Nëna: Unë isha në shtëpi edhe djali ishte në shtëpi, ai kishte të veshur një xhup me mëngë të shkurtra, u nis për në qendër. I them Kel do e marrësh xhuboksin? Tha, do të pi një kafe e do të vij. Që atëherë unë nuk e kam parë më.

Policia ka zbuluar nëpërmjet GPS të telefonit zonën ku ndodheshin për herë të fundit dy të rinjtë, ndërkohë që Danjel Pepaj mund të jetë larguar drejt Malit të Zi.

Forcat policore dhe banorët e zonës i shtrinë kërkimet ne një terren mjaft të thyer pasi dyshohet se trupat mund të jenë hedhur nga ndonjë lartësi.

Policia i trembet edhe ndonjë hakmarrje dhe është vendosur në fshatin Vrith.

Tv Klan