Një aeroplan ushtarak i nisur nga Kili me 38 persona në bord është zhdukur nga radarët. Forca Ajrore e Kilit thotë se aeroplani humbi gjatë rrugës për në Antarktidë.

Avioni transportues C-130 Hercules u ngrit nga Punta Arenas në orën 16:55 sipas orës lokale dhe nga radarët u zhduk pas 1 ore. Në bord ishin 17 anëtarë të ekuipazhit dhe 21 pasagjerë të cilët po udhëtonin për të siguruar mbështetje logjistike.

Një operacion kërkim-shpëtimi ka nisur, thonë autoritetet e Kilit. Gjenerali i Forcave Ajrore Kiliane deklaroi për mediat lokale se aeroplani ushtarak nuk kishte ndezur apo aktivizuar asnjë sinjal emergjence gjatë fluturimit.

Dyshimet e para ishin se aeroplani mund të ishte zhdukur për shkak të motit të keq, por Forca Ajrore e Kilit njoftoi që moti ishte i mirë dhe i qëndrueshëm në kohën kur aeroplani i tyre u zhduk nga radarët.

Kili zotëron 1.2 milionë kilometër katrorë në Antarktidë, tokë kufitare e pretenduar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Argjentina. Në këtë territor, Kili ka ngritur 9 baza, më shumë se çdo vend tjetër i botës. /tvklan.al