Një avion ushtarak rus me 14 persona në bord është zhdukur nga radarët pasi ka fluturuar në Siri.

“Kemi humbur kontaktin me ekuipazhin e një avioni rus Il-20 mbi Detin Mesdhe

”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Ngjarja ka ndodhur në 23:00 sipas orës lokale, të hënën.

Incidenti thuhet se ndodhi rreth 35 km nga bregu sirian, pasi avioni Ilyushin Il-20 po kthehej në bazën ajrore ruse të Hmeimim pranë qytetit veri-perëndimor të Latakias. Fati i avionit dhe i personave në bord nuk dihet ende. Një operacion kërkim-shpëtimi është në proces, i koordinuar nëpërmjet personelit të vendosur në bazën Hmeimim, shtoi ministria.

Një zëdhënës ushtarak francez i tha agjencisë së lajmeve AFP se ushtria franceze mohon çdo përfshirje në këtë sulm. Ndërkohë një zëdhënës i Pentagonit tha:

“Raketat nuk u hodhën nga ushtria amerikane dhe ne nuk kemi më shumë informacion në këtë moment”.

Megjithatë, një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se Uashingtoni besonte se avioni u qëllua aksidentalisht nga qeveria siriane, raporton Reuters. Qeveria siriane ende nuk ka komentuar incidentin, por mediat shtetërore siriane folën për një sulm në zonë pak para se avioni të zhdukej.

Televizioni sirian raportoi shpërthime në ajër në Latakia pak para orës 22:00. Tridhjetë minuta më vonë, faqja

Sana

 në Facebook raportoi se mbrojtja ajrore siriane ishte përgjigjur ndaj raketave armike.

Rusia filloi sulmet ushtarake në Siri në 2015, pas një kërkese nga presidenti Bashar al-Assad, i cili ka qëndruar në pushtet pavarësisht se u bënë 7 vjet qëkur lufta civile ka nisur. Konflikti deri tani ka vrarë më shumë se 350,000 njerëz. Hmeimim është baza kryesore e Rusisë për sulme ajrore mbi grupet rebele në Siri, sulme që kanë mundësuar forcat e Presidentit Assad të rimarrin një pjesë të konsiderueshme të terrenit të humbur. /tvklan.al