Mbetet mister zhdukja e avokatit Besnik Muço, ngjarje e denoncuar 10 ditë më parë nga bashkëshortja e tij Rajmonda në Itali dhe i vëllai Viktor Muço në Shqipëri.

Mëngjesin e së martës policia gjeti në tragetin e linjës Bari- Durrës, sende personale të tij. Ato janë një çantë të cilën e mbante me vete, një xhup dhe një leje qëndrimi italiane. Menjëherë pas gjetjes së tyre me urdhër të prokurorisë së Durrësit ato iu dorëzuan tek autoritetet italiane. Kjo pasi në policinë italiane bashkëshortja e avokatit Rajmonda Muço ka bërë edhe denoncimin.

Ndërkaq duke qenë se një procedim është regjistruar edhe në prokurorinë e Durrësit, kjo e fundit mësohet se ka autorizuar policinë për të kryer disa veprime hetimore në interes të kësaj çështjeje. Hetimet e policisë italiane dhe asaj shqiptare po drejtohen në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit.

Muço jetonte mes Shqipërisë ku kishte punën e tij si avokat, por edhe Italisë, ku kishte familjen. Pista e dytë për të cilën po hetohet është ajo e një vetëvrasjeje të mundshme, për shkak të problemeve që avokati mund të ketë pasur. Deri në vitin 1997, ai kishte punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa më pas kishte vijuar në profesion të lirë si avokat.

 Tv Klan