Policia e Kurbinit ka arrestuar Aleksandër Fadilin, si personi i dyshuar për zhdukjen e tregtarit të perdeve Fatjon Fejzillari. 30-vjeçari Fadili ka qenë i pari që denoncoi zhdukjen e shokut të tij më datë 30 Prill 2018.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, policia thotë se ka prova që ngrenë dyshime të arsyeshme se Aleksandër Fadili është i përfshirë në zhdukjen e Fatjon Fejzillarit 30 vjeç.

“Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas një pune disa javore hetimore të mirëfilltë,  të mirëorganizuar dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, bazuar në provat shkencore të siguruara  u bë ndalimi i shtetasit Aleksandër Fadili, 30 vjeç, banues në Peqin – Elbasan ( i cili ka bërë denoncimin e humbjes së shtetasit F.F.), pasi ky  shtetas dyshohet si autori i zhdukjes së shtetasit F.F.”,

thuhet në njoftimin e Policisë së Kurbinit.

Uniformat blu vazhdojnë ende kërkimet për të gjetur tregtarin e perdeve Fatjon Fejzillari, i cili për herë të fundit është parë më 29 Prill. Ai ka qenë Fadilin duke shitur perde dhe tapete në Laç, ndërsa të nesërmen më datë 30 Prill shoku i tij bëri denoncim në polici për zhdukjen e 30-vjeçarit.

Zhdukjen e tregtarit të perdeve e ngriti si shqetësim tvklan.al, që trajtoi rastin për herë të parë më 6 Maj. Vet shoku i Fatjon Fejzillarit, Aleksandër Fadili denoncoi në Tv Klan humbjen e 30-vjeçarit, duke dhënë detaje rreth kësaj ngjarje. Në intervistën për gazetarin Spartak Koka, folën edhe nëna, i ati dhe bashkëshortja e të zhdukurit Fatjon Fejzillari, duke i bërë apel shtetit që të gjendet 30-vjeçari, qoftë i gjallë apo i vdekur.

Fatjon Fejzillari dhe Aleksandër Fadili kanë qenë së bashku duke shitur perde dhe tapete në Laç më 29 Prill. Të dy ishin ndarë për të shitur secili mallin e vet, dhe e kishin lënë të takoheshin në orën 20:00 tek makina e tyre. Por, sipas dëshmisë së Aleksandër Fadilit, shoku i tij Fejzillari nuk erdhi dhe deri të nesërmen i binte celulari por askush nuk përgjigjej.

Në orën 09:00 të 30 Prillit, Fadili bëri denoncimin në Policinë e Laçit dhe njoftoi familjarët e Fatjon Fejzillarit për zhdukjen e familjarit të tyre. Kur të dy shokët ishin në Laç, 30-vjeçari Fejzillari kishte me vete 2 milionë e 600 mijë Lekë të vjetra. Gjysmat e parave i përkisnin Aleksandër Fadilit, sipas pretendimit të këtij të fundit. Ende sot, nuk ka asnjë gjurmë nga zhdukja e tregtarit të perdeve./

tvklan.al