Në emisionin Opinion në Tv Klan është diskutuar për zhdukjen e mistershme në vendin tonë të italianit Davide Pecorelli, që dyshohet se është djegur brenda një makine në anë të rrugës në drejtim të Pukës.

Gazetari Spartak Koka, i ftuar në emisionin Opinion, ka zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e rëndë. Ai ka treguar se zjarri në makinë ka nisur në pjesën e pasme.

“Makina monitorohej nga një GPS për shkak se ishte makinë me qira. Zjarri dyshohet të jetë zhvilluar në pjesën e pasme të automjetit. Eshtrat ndodhen tek Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë”.

Italiani Davide Pecorelli ka një fëmijë 2 vjeç në Vlorë me një grua shqiptare, u shpreh gazetari Koka, teksa ka treguar edhe udhëtimet që ka bërë ai në vendin tonë dhe ku ka qëndruar në Pukë.

“Është i martuar me një shtetase shqiptare me të cilën ka një fëmijë 2 vjeç. Në Itali nuk i kemi të gjitha informacionet e plota. Aktiviteti në Shqipëri, bëhet fjalë për një biznes tregti me pakicë të produkteve kozmetike, aparatura kozmetike me niptin përkatës. Ka udhëtuar të paktën 3 herë gjatë Shtatorit, Tetorit, Nëntorit me qëllim promovimin e produkteve të bizneseve të tij estetike. Mbërritja e fundit në Shqipëri është më 3 Janar nga Italia në Rinas rreth drekës dhe më pas ka udhëtuar drejt Vlorës dhe është nisur në drejtim të veriut të vendit me qëllim promovimin e produkteve estetike ku ka patur dhe çantën. Po shkonte në Shkodër, në Lezhë, në Mirditë dhe në Pukë. Bashkëshortja e tij deklaron se ai ka patur me vete vetëm 350 Euro. Vendi i akomodimit është Hotel Turizmi në Pukë, dhoma 204”.

Sipas gazetarit Spartak Koka, është e dyshimtë përse italiani është kthyer nga rruga, teksa zbulon të plotë itinerarin e udhëtimit, të cilat janë konfirmuar edhe nga GPS.

Dy ditët e para ai ka përshkruar rrugën Shkodër – Pukë, i ka rënë nga Mjeda. Kurse ditën e fundit në kthim është nisur në mëngjes nga Puka, kthimin e ka bërë në aksin Lezhë-Rrëshen. Pikëpyetja është bërë përse e ka bërë këtë rrugë. Ka ardhur në Reps dhe është futur rrugës së vjetër për Pukë, ka ardhur deri në fshatin Rrasë, ka kaluar fshatin Rrasë dhe është kthyer mbrapsht. GPS e nxjerr që mjeti është kthyer dhe njëherë mbrapsht për në drejtim të Repsit, ka kaluar sërish fshatin Rrasë dhe është rikthyer në vend dhe është nisur sërish për në Pukë. Se çfarë e ka shtyrë personin që të bënte gjithë këto lëvizje, mbetet për t’u parë. Më pas është ndalur në anë të rrugës, makina ka qenë me drejtim për nga humnera. 20 minuta pas momentit të ndalimit, humbet sinjali i GPS. Mendohet se sinjali ka humbur si pasojë e flakëve dhe e djegies së mjetit”. /tvklan.al