Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi dhe shkuarjes së tij në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dy ekspertë amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se përgjegjësia e mundshme individuale nuk duhet ngatërruar me pozicionin e Kosovës dhe me historinë e palëve në konflikt. Profesorët David Phillips dhe Paul Williams folën gjithashtu për implikimet që mund të ketë ky zhvillim në politikën e brendshme dhe në ecurinë e dialogut me Serbinë.

Si Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington Paul Williams ashtu edhe Profesori i të Drejtave të Njeriut, David Phillips në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, thonë se Presidenti Thaçi veproi siç duhet që dha dorëheqjen dhe shkoi të përballej me akuzat në Hagë, duke pasur një shans për të mbrojtur veten nga këto akuza.

“Është e rëndësishme që Kosova ta tejkalojë këtë moment. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë një gjë të tillë është që Presidenti Thaçi dhe të tjerët të shkojnë dhe të përballen me akuzuesit e tyre dhe të tregojnë anën e tyre të historisë”, thotë profesor Phillips.

Por ai shton se nuk duhet harruar se bëhej fjalë për një luftë kundër shtypjes serbe.

“Këta individë po gjykohen, por pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe lufta fisnike e UÇK-së duhet të vlerësohet. Thjesht duhet të dimë se çfarë ka ndodhur gjatë atyre viteve dhe të ecim përpara”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi dhe shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte “të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, gjatë periudhës 1998-1999.

Të gjithë këta, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë./VOA