Banorët e Stambollit iu rikthyen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, në procesin e ripërsëritur të zgjedhjeve lokale të 31 Marsit.

Në garë janë Ekrem Imamoglu nga republikanët në opozitë dhe Binali Jëlldërëm nga partia për drejtësi dhe zhvillim e Presidentit Erdogan. Pjesëmarrja pritet të jetë e lartë pasi që prej hapjes së vendvotimeve në orën 08:00 të mëngjesit, në shumë prej tyre nisën të krijoheshin radhë votuesish. Për të votuar janë thirrur rreth 10.6 milionë persona me të drejtë vote.

Votimi i 31 marsit nxorri fitues me një diferencë të ngushtë Imamollunë e opozitës, me një diferencë tepër të ngushtë prej 0.2%. Por Këshilli i Lartë Zgjedhor në Turqi pranoi kërkesën e partisë së Erdoganit për ripërsëritje të zgjedhjeve, duke pretenduar se pati parregullsi. Ajo që ngriti dyshimet më të mëdha ishte se partia e presidentit fitoi shumicën e 39 njësive administrative të qytetit më të populluar të Turqisë, në 24 distrikte përkundrejt 14 të tjerave të fituara nga republikanët.

Ndërsa në postin e kryebashkiakut fitoi kandidati i republikanëve Imamoglu. Humbja e Stambollit do të ishte një goditje e rëndë për Erdoganin. Ky qytet është bastion i tij prej më shumë se 2 dekadash. Në zgjedhjet e 31 Marsit, ai humbi edhe kryeqytetin Ankara. Se cili do të jetë fituesi, edhe sondazhet e kanë të vështirë t’a parashikojnë. Rezultatet pritet të publikohen pas orës 17:00 me orën lokale, orari i mbylljes së votimit.

Tv Klan