Oficerët e policisë, që konkurojnë për gradën Komisar, zhvilluan për herë të dytë testimin pas anulimit të atij të zhvilluar në 7 Nëntor me arsyetimin se ishte kopjuar. Konkurimi është zhvilluar në masa të rrepta sigurie dhe nën vëzhgimin e kamerave paraditen e së martës.

Në testimin e zhvilluar me kompjuter kanë qenë fillimisht 147 oficerë nga 470 në total që konkuruan për 130 vendet vakante. Pjesa tjetër do testohet gjatë dy ditëve në vijim të ndarë në tre grupe.

Ashtu si dhe herën e parë oficerët në përfundim të provimit janë njohur  edhe me rezultatin. Testi i parë u zhvillua në ambientet e Akademisë së Sigurisë,  por u anulua me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu me dyshimet se u kopjua, pasi teza kishte dalë më parë.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat gjeti shkelje dhe referoi ne prokururori personat përgjegjës për mbarrëvajtjen e provimit, mes të cilëve edhe vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, zëvendësen e tij Aida Hajnaj dhe tre anëtare të Komisionit të Gradave.

Po kështu edhe anëtarët e komisionit që mbikqyrën testin e së martës  janë ndryshuar, ndërsa për anulimin e testit të parë po kryhen verifikime në prokurori.

Përveç testit për Komisar edhe për testin e një grade më të lartë si ajo e Kryekomisarit, që u zhvillua më 12 Nëntor, ka patur ankesa në Sindikatën e Policisë, pasi mënyra e strukturimit të tezës është ndryshuar pa paralajmërim në momentin e fundit.

Tv Klan