Ka nisur takimi i fiksuar në 17:00 mes Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha, që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Reforma në Drejtësi, e bllokuar prej disa javësh edhe për shkak të presionit ndërkombëtar, do të jenë në qendër të bashkëbisedimit mes Ramës e Bashës.

Përveç Fatmir Xhafës, Kryetarit të Komisionit të Posaçem të Reformës në Drejtësi, Kryeministri ka në krahun e tij dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ndërsa Kryetari Basha shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka.

13405586_10154253278624826_1984539895_o

Kryeministri Rama, ditën e shtunë, si ofertë për opozitën bëri publike tërheqjen e maxhorancës nga votimi me 3 të 5 për përzgjedhjen e anëtarëve të instutucioneve të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë e Drejtësisë dhe ai Gjyqësor, duke plotësuar kërkesën e opozitës për votimin me 2/3.

Por sipas demokratëve, më shumë sesa votimi, me rëndësi është formula që do të përzgjidhet.

Partia Demokratike tani këmbëngul në formulën e vendeve të rezervuara, e ngjashme kjo me kompozimin aktual të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të shtunën, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland telefonoi ish – Kryeministrin Berisha dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Basha, për të theksuar rëndësinë e dakordësisë për Reformën në Drejtësi.

Një deklaratë për këtë bëri një ditë më parë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogerini.

Tv Klan