2.2 miliardë njerëz në botë jetojnë në “zonat e rrezikut” ku virusi Zika mund të përhapet. Alarmi vjen nga revista e kërkimeve shkencore “eLife”, e cila publikoi një hartë të detajuar mbi përhapjen e virusit.

Kjo është hera e parë që studimet shkencore tregojnë një hartë të saktë të zonave që rrezikojnë prekjen nga Zika, thanë shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit për BBC.

Identifikimi i zonave se ku mushkonja Aedes Aegipti mund të mbijetojë dhe ku virusi Zika mund të lulëzojë, ndihmon në parandalimin e përhapjes së tij në zonat e tjera.

Studimi i “eLife” konfirmoi edhe një herë se Amerika e Jugut është kontinenti ku Zika është kthyer në një fenomen shqetësues. Javën e kaluar Qendra Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, konfirmoi se virusi shkakton çrregullime te të porsalindurit.

Shtetet e Floridës dhe Teksasit mund të jenë një rrezik i mundshëm këtë verë, pasi në temperatura të larta virusi lulëzon dhe mund të transmetohet tek njerëzit, thanë shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit. Nisur nga harta e publikuar, Europa shfaqet e parrezikuar nga Zika, autoritetet bëjnë thirrje se situata nuk duhet nënvlerësuar./tvklan.al