Nuk u përgjigjen ankesave të qytetarëve

Janë të shumta ankesat dhe denoncimet e qytetarëve shqiptarë nëpër botë, lidhur me ambasadat dhe konsullatat shqiptare në shtete të ndryshme. Gazetarja e “Stop” provoi të lidhej me ambasadat tona në Angli, Francë, Gjermani, Itali e Greqi. Por zilja e telefonit mbeti pa përgjigje në të gjitha rastet.

“Problematika e qytetarëve lidhet kryesisht me numrat e telefonit të publikuara nëpër faqet zyrtare të konsullatave apo ambasadave tona, por që nuk hapen asnjëherë dhe nuk jepet asnjë përgjigje për shtetasit shqiptarë. Konkretisht denoncimi i fundit vjen për Ambasadën e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Në fund të faqes zyrtare janë të publikuara numrat e saj”, u shpreh gazetarja.

Ajo u mundua ta kontaktojë ambasadën me anë të numrit fiks, por telefoni nuk u hap. Edhe me numrin emergjent ndodhi e njëjta gjë. Sekretaria telefonike thotë që është e pamundur që dikush të përgjigjet për telefonatën, por duhet lënë mesazh zanor.

Por çfarë ndodh me ambasadën tonë në Paris? Ashtu si në Britaninë e Madhe edhe këtu në faqen zyrtare janë vendosur disa numra telefoni. Edhe pse shkojnë zilet, askush nga krahu tjetër nuk përgjigjet. Madje në kontaktin e urgjencën, ambasada jonë në Francë thotë se duhet përdorur për raste urgjente. Abuzimi me këtë numër i ngarkon njerëzit me përgjegjësi ligjore.

“Lind pyetja: Përsa kohë që abuzimi me qytetarët për këtë numër ngarkon ata me përgjegjësi ligjore, po ju të Ambasadës shqiptare në Paris a ngarkoheni me përgjegjësi ligjore në momentin që nuk jepni asnjë lloj përgjigje”, tha gazetarja.

Por në ambasadën tonë në Gjermani situata ishte më ndryshe. Atje nuk shkon zilja fare.

Gazetarja e “Stop” tentoi komunikimin edhe me ambasadën shqiptare në Itali. Edhe pse në faqen zyrtare ka numrat e telefonit dhe zilet shkojnë, të gjendet i njëjti fat si në Francë dhe Angli. Askush nuk përgjigjet.

Por çfarë ndodh në Greqi? Në faqen zyrtare të ambasadës sonë në Athinë janë të paktën katër numra telefoni fiks dhe një numër faksi për t’u kontaktuar nga qytetarët shqiptarë. I njëjti fat edhe këtu. Gazetares nuk ia hapi askush telefonin./tvklan.al