E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan në rubrikën e re “Dekadat e jetës sime” ishte e ftuar sipërmarrësja Teuta Doçi. Në një intervistë ndryshe ajo ndau për publikun ngjarjet më të rëndësishme të 7 dekadave të saj.
Në ditët e fundit të dekadës së 6-të, kur ajo po festonte 60-vjetorin e ditëlindjes, një zile telefoni njësoj si një alarmi i një gjëme, la pezull gjithçka. Pikërisht ajo ditë e lumtur dhe e hareshme, u mbulua nga zia dhe vajtimi. Vëllai i saj 16 vite më i madh Agim Doçi ndërroi jetë.
“Kjo ishte dekada ku unë do festoja 60-vjetorin. Kisha vendosur që të organizoja një superfestë, ishin bërë të gjitha përgatitjet. Unë fillimisht nuk doja që ta bëja sepse rritet mosha dhe nuk është ndonjë gëzim i madh. Por, mikeshat e mia më thanë që ‘Teuta ti aq sa e do muzikën, e ke shumë gabim, ti duhet që ta festosh ditëlindjen dhe ta konceptosh si një disko’, e pranova. Thashë do të bëjmë qejf të gjithë jo vetëm se jam unë sebepi, por këtë gjë e ndali dhe mu duk sikur u shemb bota. Unë isha mësuar me ikjen e prindërve të mi dhe në fund të fundit të gjithë prindërit para fëmijëve o Zot ikshin, por nuk kisha provuar një dashuri tjetër që të ishte kaq e madhe dhe të merrja vesh që atë ditë u sëmur dhe humbi jetën me një shpejtësi shumë të madhe vëllai im i vetëm, 16 vite më i madh se unë, Agim Doçi.”
Me sytë e përlotur që ende e kanë të freskët dhimbjen e madhe të humbjes së një njeriu të dashur, Teuta Doçi ndan pak kujtimet me vëllain e saj të vetëm, poetin e njohur Agim Doçi.
“Gimi për mua ishte jo vetëm vëllai, por me atë diferencë të mendosh që kur është martuar Gimi unë kam qenë 6 vjeç në dasmën e tij. Kur organizoheshin takime me prindër në shkollë të mesme, unë kisha shumë qejf që të më vinte Gimi. Ai djaloshi i bukur dhe që bisedonte bukur me mësueset, kishte atë energjinë tjetër dhe unë mezi e prisja, po mezi e prisnin edhe ato. Ka qenë shumë karizmatik në bisedë me një humor të jashtëzakonshëm dhe ajo gjëja që mua më ka lënë të lënduar edhe sot. Besoj se është një dhimbje që jo aq kollaj do më ikë.”/tvklan.al