Një fabrikë e tullave në Shijak është përfshirë nga flakët e zjarri mesditën e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15 në rrugën dytësore të Maminasit.

Drejt vendngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe policia. Sikurse duket dhe nga pamjet e dërguara nga qytetarët në rubrikën “Kallëzo” në tvklan.al, zjarri ka përfshirë të gjithë fabrikën.

Ndërkohë, personeli është evakuuar në kohë. Nga flakët është lënduar një prej punonjësve dhe është dërguar në spital. Mjekët thonë se gjendja e tij nuk përbën rrezik për jetën. Zjarrfikësit janë duke punuar për shuarjen e flakëve. Shkaqet e rënies së zjarrit janë të paqarta, por paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur nga pakujdesia në punë. /tvklan.al