Një zjarr i madh ka përfshirë një ndërtesë 15-katëshe në periferinë jugore të Milanos në Itali. Flakët u përhapën në 70 apartamentet që përbëjnë të gjithë godinën. Nuk u raportuan viktima, por vetëm banorë të intoksikuar nga tymi.

Ende nuk është përcaktuar shkaku i shpërthimit të zjarrit por nga hetimet paraprake flitet për shkëndija elektrike pasi i gjithë pallati ishte nën rikonstruksion.

Forcat e zjarrfikësve kanë luftuar me flakët por ja kanë dalë vetëm të shpëtojnë jetët e banorëve. Tymi i zi mbuloi të gjithë qytetin e Milanos.

Flakët e zjarrit ishin të dukshme që nga kati i fundit i ndërtesës dhe nuk lejuan zjarrfikësit të kryenin operacionet e shpëtimit të objektit.

Në rrugë kishte qindra njerëz, përfshirë banorë dhe shikues, ndërsa një kolonë e dendur tymi i zi vazhdoi të ngrihej nga ndërtesa. Stafi mjekësor në vend konstatoi 20 banorë me simptoma të lehta.

Disa metra larg, policia bllokoi hyrjen në rrugë, por shumë njerëz ende vëzhguan kolonën e madhe të tymit të zi që ngrihej nga ndërtesa nga distanca.  /tvklan.al