Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë këtë të enjte një zonë të mbuluar me pisha në gadishullin e Sithonia, në veri të Greqisë.

Erërat e forta e kanë bërë të vështirë punën e zjarrfikësve, të cilët ndodhen në këtë zonë për të vënë nën kontroll flakët. Të paktën 60 zjarrfikës me 30 automjete, sëbashku me vullnetarë shkuan në vendngjarje që në orët e para të mëngjesit, të asistuar nga 4 avionë Canadair.

E përditshmja

Kathimerini

shkruan se qielli mbi Sithonia është mbuluar nga tymi, i dukshëm nga një distancë e largët. Sipas informacioneve të deritanishme, probleme mësohet se ka pasur në fshatin Sarti, ku banorët kanë mbetur pa energji dhe linjë telefonike.

“Situata është e vështirë, erërat e forta po e ndihmojnë zjarrin, që është mbi Sarti”,

tha nënkryetari i Bashkisë së Sithonia Paris Deblas për mediat vendase. Zjarri besohet se nisi pranë Platanitsi, në lindje të gadishullit.

Një tjetër zjarr shpërtheu po mëngjesin e kësaj të enjteje pranë fshatit Filyro, i cili ndodhet rreth 10 kilometra në verilindje të Selanikut. Flakët u vunë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, të cilët thanë gjithashtu se nuk kishte vatër tjetër aktive në zonë. Banorët e Filyro u evakuuan nga shtëpitë, pasi flakët po i afroheshin fshatit.

Në Selanik, erërat e forta rrëzuan pemë mbi makinat e parkuara, shkatërruar tendat e shtëpive e tabelat në rrugë, ndërsa semaforët dolën jashtë funksionit.

/tvklan.al