Një zjarr i rënë i rënë në burgun e Shënkollit në Lezhe i mori jetën një të dënuari.

Të paktën 9 persona të tjerë, mes të cilëve 2 punonjës të burgut u plagosën dhe u transportuan në spital.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se viktima është Flamur Sula, 25 vjeç nga Kruja.

Ai u gjet i asfiksuar në banjon e dhomës.

Flakët dhe tymi i përhapur në qelitë e tjera, rreth orës 15.30 rrezikuan disa të dënuar në godinën numër 1 të paraburgimit të Shënkollit.

U desh ndërhyrja e zjarrfikësve që situata të normalizohej.

Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë morën ndërkohë në ruajtje të gjithë perimetrin e burgut.

Disa nga të dënuarit u panë të hidhen nga kati i dytë dhe i tretë, nëpërmjet dritareve të korridorit, teksa u nxorrën jashtë qelive nga policia, për të evituar dëme të tjera në njerëz.

Një grup i posacëm, nën drejtimin e Prokurorisë se Lezhës, është ngritur për të hetuar mbi shkakun e ngjarjes.

Nga institucionet shtetërore ka dy versione për rënien e zjarrit. Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësise njoftuan se shkak është shpërthimi i një bombule që përdorej për gatim.

Por Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial thotë se dërgoi në Shënkoll disa inspektore, sipas të cilëve rezulton se nuk ka patur asnjë shpërthim bombulash gazi.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se e vërteta do të vërtetohet nga hetimi i Prokurorisë.

Disa burime dhanë një tjetër version  për Televizionin Klan. Sipas tyre dyshohet që zjarri të ketë shpërthyer pas një konflikti mes dy grupeve të dënuarish. Por kjo nuk konfirmohet nga autoritetet. Nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë vënë në qeli nga vetë Flamur Sula.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se Flamur Sula ishte dënuar me 10 vjet në Shkallën e Parë për tentativë vrasje.

Tv Klan