Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë një kodër në Finiq.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, në vendngjarje kanë shkuar 6 zjarrfikëse nga Delvina, Saranda dhe Gjirokastra. Për të vendosur zjarrin nën kontroll po punojnë 70 zjarrfikës. Nga flakët janë dëmtuar 2 shtëpi të pabanuara dhe të braktisura prej 15 vitesh.

Ministria e Mbrojtjes sqaron se zona ku ka rënë zjarr është larg qendrave të banuara. Situata po monitorohet edhe nga Ministrja e Mbrojtjes, Prefekti dhe Emergjencat Civile.

Aktualisht, raportohet se situata është vendosur nën kontroll, ndërsa në gatishmëri qëndrojnë efektivët e Forcave të Armatosura në Detashmentin e Mbrojtjes Rajonale të Gjirokastrës. /tvklan.al