Të paktën një person ka humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit që përfshiu një spital mbrëmjen e së mërkurës në Paris.

Zjarri që nisi në spitalin “Henri Modor” në periferi të kryeqytetit francez u vendos nën kontroll rreth orës 01:45 të mëngjesit të së enjtes. Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar një shpërthim përpara se flakët të përhapeshin me shpejtësi.

Zjarrfikësit që ndërhynë në brendësi të objektit për shuarjen e flakëve, gjetën trupin e pajetë të një gruaje. Kurse tetë persona të tjerë mbetën të plagosur, në mesin e të cilëve katër zjarrfikës.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, edhe pse raportohet që fillimisht nisi në katet e sipërme të ndërtesës. Dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një pakujdesi në një apartament. Sipas mediave franceze, qendra spitalore ndodhet në një ndërtesë 10-katëshe që shërben edhe si bllok banimi. /tvklan.al