Veliaj: Shpronësim dhe kthim në muze, ta harrojnë ndërtimin

10 minuta para mesnatës së të hënës godina historike e njohur si “Sarajet”, monument kulture i kategorisë së parë në qendër të Tiranës u përfshi nga zjarri.

Flakët nisën në katin e parë të ndërtesës në të paktën 2 vatra, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve u bë e munduar shuarja e tyre.  Zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj publikoi videon e një personi që largohet me shpejtësi pas rënies së zjarrit.

Ai ishte futur në ndërtesë nga kjo derë e pasme duke ndezur vatrat. Një ditë më pas ekspert e policisë u rikthyen për të bërë vlerësimet. Mësohet se dëmet kanë qenë të pakta ndërsa është djegur edhe një pjesë e tavanit

Kryebashkiaku Veliaj akuzon një pjesë të pronarëve të ndërtesës të cilët sipas tij tentuan shkatërrimin e kësaj pasurie.

“Nën stilin e “Shkollës Kosova” u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin. Zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit, edhe për këta nuk do ketë mëshirë. Politikanë që ditën merakosen për lodrat, e natën zjarrin qytetit”.

Veliaj thotë se ka biseduar me kryeministrin Rama i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për Sarajet si një nga aktet e para të qeverisë së re.

“Ta harrojnë që aty do ketë ndërtim, e ta harrojnë që aty do ketë zjarr gjer sa te bëhet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24h roje! Ngjarjet do rrjedhin si më poshtë: Shpronësim për 18 pronarët (jo të gjithë janë politikane piromanë). Shpallje Muze si ish-Legata e Parë Amerikane në Tiranë dhe monument kulture. Rikonstruksion dhe hapje për publikun”.

Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e vendit. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar aty ka qenë selia e Legatës së Shteteve të Bashkuara.

Tv Klan