Çako: Shumica e vatrave të qëllimshme

Sipërfaqe të tëra në pyllin me Pisha në Seman të Fierit janë përfshirë nga flakët, të cilat të ndihmuara nga era ende nuk janë vënë nën kontroll. Të tjera vatra zjarri në Mirditë, Vlorë, Korçë, Shkodër e Elbasan etj kanë shkrumbuar deri tani rreth 598 hektarë tokë.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe kreu i Agjencisë Kombëtare së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, duke i quajtur një pjesë të vatrave si zjarrvënie të qëllimshme.

“Nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri”.

Çako kërkoi nga bashkitë të ndërhyjnë në kohë për të vënë nën kontroll situatën, e në rast nevoje të kërkojnë ndihmë nga Forcat e Armatosura.

“AKMC si strukturë koordinuese ju rikujton bashkive që nuk zbatojnë ligjin se do të përballen me penalitete për çdo rast, kur nuk respektojnë dispozitat ligjore për përballimin e emergjencave civile.”

Çako kërkoi bashkëpunimin e strukturave të pushtetit vendor dhe policisë së shtetit për kapjen e autorëve të zjarrvënieve.

Tv Klan