Në Kanada ushtria do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve, vijon lufta me flakët edhe në Spanjë

Një zjarr që ka shpërthyer në Uashington ka shkaktuar vdekjen e një personi ndërsa ka detyruar autoritet amerikane të lëshojnë urdhrat e evakuimit për banorët në qytetin Spokane.

Zjarri i cili filloi rreth mesditës së të premtes ka djegur rreth 10,800 hektarë tokë deri më tani.

Si pasojë e flakëve rreth 190 banesa janë shkatërruar ndërsa është shpallur edhe gjendja e jashtëzakonshme.

Përveç Uashingtonit, zjarret kanë shpërthyer edhe në Nju Xhersi.

Zjarrëfikësit po punojnë për të shuar zjarrin që u përhap në një pyll por fatmirësisht deri më tani asnjë banesë nuk është dëmtuar dhe të gjitha akset rrugore aty pranë mbetën të hapura për qytetarët.

Ndërsa në Kanada aty ku edhe zjarret vijojnë për disa ditë rradhazi kryeministri Justin Trudeau ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë për shuarjen e vatrave aktive të zjarrit.

“Ndihma e qeverisë federale vazhdon të rritet. Po angazhojmë edhe Forcat e Armatosura. Po punojmë në koordinim me autoritetet lokale për t’u siguruar që njerëzit të jenë të sigurt. Po bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.”

Ndërsa në ishullin Tenerife në Spanjë zjarret kanë dalë sërish jashtë kontrollit ndonëse më herët autoritet spanjolle folën për një përmirësim të situatës së zjarreve.

Në fshatin La Victoria, banorët u detyruan të evakuohen por shumë prej tyre mbetën të shqetësuar për fatin e banesave të tyre.

“Shpresojmë që zjarri do të fiket nga zjarrëfikësit dhe flakët nuk do të arrijnë drejt shtëpive tona. Uroj që kjo situatë të përfundojë sa më parë.”

Zjarri që shpërtheu të mërkurën në një park kombëtar ka detyruar më shumë se 12,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Klan News