Zjarret në vend, AKMC: Situata problematike, autorët të ndëshkohen

Zjarret në vend, AKMC: Situata problematike, autorët të ndëshkohen

09:54 22/08/2020

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka dërguar dy shkresa 61 bashkive në vend, 12 prefektëve dhe Policisë së Shtetit lidhur me situatën e zjarreve.

Në këto shkresa, AKMC kërkon nga bashkitë që të marrin masa për të parandaluar zjarret dhe të minimizojnë dëmet. Ndërsa nga prefektët kërkon që të përdorin të gjitha kapacitetet operacionale në nivel qarku.

“Sipas të dhënave paraprake, kjo është periudhë problematike për zjarrvënien e qëllimshme, të merren masa për përballimin e zjarreve. Zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash. Merrni masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret. Pushteti vendor të japë informacion në kohë reale për shfaqjen e vatrave të zjarrit. Bashkitë të zhvillojnë trajnime detyruese për punonjësit për situatat e zjarreve. Bashkitë të mbajnë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitetet zjarrfikëse. Në bazë të ligjit, bashkitë, vullnetarët dhe vetë qytetarët, janë kapacitetet për shuarjen e vatrave të zjarrit”.

Në shkresën drejtuar edhe Policisë së Shtetit për problematikën e zjarreve, AKMC kërkon që zjarrvënësit të zbulohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë.

“Nevojë emergjente vënia para përgjegjësisë e zjarrvënësve. Të merren masa për zbulimin e autorëve të zjarreve, qofshin ato me dashje apo dhe nga pakujdesia. Zjarrvënësit të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal. Zbulimi i autorëve ul numrin dhe madhësinë e zjarreve. Ndëshkimi i autorëve ndërgjegjëson qytetarët se zjarrëvënia është krim. Koordinim me pushtetin lokal dhe kryepleqtë për identifikimin e autorëve. Të ndiqen me prioritet zjarrvëniet duke informuar publikun për autorët e tyre”. /tvklan.al





Të ngjashme