Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka inspektuar vatrat e zjarrit në Lushnje.

Gjatë inspektimit, ministri Balla i ka bërë thirrje prokurorisë që të japë dënim ekzemplar për këdo që përfshihet në zjarrvënie.

Teksa ka thënë se zjarrvënia është vepër e rëndë penale, ministri Balla ka shtuar se Policia e Shtetit ka identifikuar, ndaluar dhe shpallur në kërkim shumë persona të përfshirë në zjarrvënie.

Taulant Balla: Dua t’i bëj një thirrje gjithkujt që përfshihet në zjarrvënie, edhe pa dashje për të djegur kashtën pas korrjes së grurit, duhet të kuptojë se është një vepër penale dhe për ata që e bëjnë me dashje, kjo është një vepër penale dhe më e rëndë akoma. Në shumë zona të Shqipërisë, jo vetëm këtu në Lushnje, por në shumë pjesë të tjera të territorit, policia ka ndaluar një numër të konsiderueshëm personash që janë përfshirë në këto zjarrëvënie. Thirrja ime është që gjithkush duhet të kuptojë që ne do të jemi shumë të ashpër dhe thirrje ime shkon për prokurorinë, e cila në të gjitha rastet e referimeve të Policisë së Shtetit, do të duhet të marrin dënime ekzemplare.

Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa raporton se inspektimi i ministrit Balla ka ardhur pasi një vatër e re zjarri është regjistruar në kodrat me ullishte në fshatin Çiflik të Bashkisë Lushnje. Këputja e telit të linjes elektrike ka shkaktuar zjarrin, i cili i favorizuar dhe nga era është përhapur duke djegur rreth 4 hektarë ullishte dhe shkurre./tvklan.al