Pas gati 8 orësh në betejë me flakët u arrit që të izolohej vatra në kodrat e Ksamilit nga efektivët e Forcave të Armatosura. Ky operacioni është ndjekur nga  zëvendës ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, e cila në përfundim inspektoi terrenin.

Zëvendës ministrja e Mbrojtjes në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar të gjithë ata që tentojnë të ndezin zjarre dhe dëmtojnë natyrën.

Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti do të vihet para përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente, që mund të na paraqitet, duke patur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë“, theksoi Bici.  

Agjencia e Mbrojtjes Civile bën me dije se puna për normalizimin e situatës po vijon edhe në Karaburun, ku paraqitet rasti më i vështirë. Grupit të punës për shuarjen e flakëve u janë bashkuar edhe 85 forca të tjera, ndër të cilët 40 janë efektivë të FA. Po ashtu puna po vijon edhe në qarkun Fier, ku po punohet me mjete te tonazhit të rëndë. V

atra aktive mbeten në fshatin Mazhicë, bashkia Bulqizë, ku zjarri ka djegur sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por edhe në fshatin Delvinë, bashkia Përmet.  Puna po vijon për normalizimin e situatës edhe në fshatin Shikaj, bashkia Kukës, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, ku janë përfshirë nga flakët një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pyll pishe./tvklan.al