Bregu Perëndimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjeton fatkeqësinë më të madhe natyrore si pasojë e zjarreve të fuqishme. Më shumë se 100 vatra zjarri po përhapen nga Kalifornia, Oregon dhe në shtetin e Uashingtonit, duke djegur sipërfaqe të tëra nëpër qytete. Aktualisht 24 persona kanë humbur jetën në Kaliforni dhe 6 të tjerë në Oregon, duke e çuar bilancin në 30 viktima.

Më shumë se 10 % e popullsisë në Oregon është evakuuar ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Zjarret në këtë shtet kanë shkatërruar me mijëra shtëpi si dhe kanë djegur me qindra mijëra hektarë tokë. Shumë prej të evakuuarve janë strehuar brenda makinave të tyre në parkingje të mëdha.

Rivali demokrat Joe Biden deklaroi se ngrohja globale po shndërrohet në një kërcënim për të gjithë njerëzit. Ai akuzoi Presidentin amerikan Donald Trump që nuk ka hartuar asnjë politikë për klimën për të ulur efektin serë në të gjithë SHBA-në.

Trump të hënën pritet që të zhvillojë një vizitë në Kaliforni për të parë nga afër situatën dhe pse në lidhje me këtë gjendje ai ka akuzuar autoritetet për menaxhim të dobët. Pamjet e publikuara në internet  tregojnë sesi Oregoni dhe Kalifornia janë përfshirë nga një apokalips, ku gjithçka është bërë shkrumb e hi.

Guvernatorja e Oregon, Kate Broën, i ka bërë thirrje  qytetarëve që të qëndrojnë larg zonave të përfshira nga flakët, pavarësisht raportimeve se shumë prej banesave të braktisura kanë rënë pre e grabitjeve. Kalifornia përballet me këtë situatë çdo vit për shkak të klimës së thatë dhe temperaturave mbi 40 gradë Celcius.

Klan Plus